Kur populli nxori shprehjen: “Nisesh të heqësh vetullat e nxjerr sytë”, operacionet plastike ishin mijëra vite dritë larg, porse sot, kjo shprehje rezulton kaq profetike! Jetojmë në një kohë kur gjithkush mund të bëjë një ndërhyrje të tillë, por jo të gjithë shkojnë në drejtimin e duhur.

Shumë eksperienca dëshmojnë se, për një korrigjim të buzës, mund të përfundosh me një deformim të saj; një lifting a botoks, i cili pretendohet se do të të kthejë rininë, mund të ta shndërrojë fytyrën në një maskë plastike; apo kur deformimi i hundës pas ndërhyrjes, mund të jetë më i madh sesa vetë defekti para ndërhyrjes.

Trajtimet estetike ku gabohet më shpesh

Mbushësit: Mjeket e trajtimeve dhe ndërhyrjeve estetike në klinikën “Vivia”, vërejnë se shumë klinika bëjnë një përzgjedhje jo të mirë të materialeve mbushëse. Përdoren mbushës jo shumë të përshtatshëm për fytyrën e personit, ose u rekomandohet një i tillë pa i sqaruar për kohëzgjatjen. “Mbushësi do një sy të stërvitur mirë dhe një trajtim të mirë estetik. Kështu që, përveç faktit se pacientet nuk sqarohen, shikoj asimetri, grumbullime në vende të caktuara dhe shpërndarje johomogjene të përbërësit,” – dëshmon doktoreshë Silvana Mishtaku Jani.

Botoksi: Ky material nuk aplikohet në mënyrë profesionale. “Vë re se, bëhen trajtime shumë të forta me botoks duke i dhënë fytyrës pamjen e maskës, – tregon mjekja Mishtaku Jani. – Muskujt rreth syve ngrihen shumë, po ashtu edhe balli dhe vetullat, duke i dhënë fytyrës një pamje shumë të egër. Ose ndodh që gjatë qeshjes, pjesa më e madhe e muskujve të fytyrës rri si e ngrirë dhe rrudhat mblidhen te zona përreth hundës. Në këto raste rekomandoj një botoks më afër natyrales.

Një femër që i ka rrudhat të thella, nuk mund të pretendojë t’i shtrijë në mënyrë absolute. Më e mira do të ishte t’i zbuste ato, sepse kështu do t’i krijohen edhe në një vend tjetër. Pastaj, janë edhe efektet anësore të botoksit, që mund t’i ndodhin kujtdo, por më së shumti ndodhin kur stafi nuk është i specializuar. Duke qenë se injektimi bëhet në muskulin që mban vetullën të ngritur, nëse bëhet në vendin e gabuar, mund të sjellë rënie të vetullës ose të qepallës”.

Plazma: Vihet re se aplikohet edhe në mosha shumë të reja, te të cilat nuk është i nevojshëm. Ky është një trajtim që duhet të fillohet rreth të 30-ve. “Na kanë ardhur vajza 24-vjeçare në klinikë, – rrëfen doktoreshë Silvana, – të cilave u është bërë plazmë. Por ajo që më bën më shumë përshtypje është që këto trajtime i marrin përsipër edhe stafe jo të specializuara.

Kjo është me rrezik, pasi mjeku duhet të dijë patjetër historikun e pacientit ku po aplikon, sepse plazma është një trajtim që ka disa kufizime, si për shembull: në rastin e sëmundjeve autoimune, ose nëse pacienti merrkortizon. Në një rast të tillë nuk mund të kryhet, sepse kortizoniku krijon reaksion në rastin e plazmës. Ose nëse pacientja ka një lëkurë të infektuar me puçrra aktive, nuk mund të bësh plazmë, sepse rrezikon t’ia shpërndash infeksionin dhe në zona të tjera të fytyrës. Kemi parë jo pak raste infeksionesh mjaft të zhvilluara të lëkurës, vetëm nga ngacmimi me age i puçrrave,” – përfundon ajo.

Në shtatzëni
Shumë klinika nuk tregojnë kujdes për këtë gjendje të gruas. Mjeket e klinikës “Vivia” na tregojnë se gjatë shtatzënisë dhe periudhës së ushqyerjes me gji, këto trajtime nuk duhen kryer, pasi substancat mund të depërtojnë në gjak dhe t’i transmetohen fëmijës. “Shpesh shoh paciente që e kërkojnë me këmbëngulje këtë gjë, edhe pse ndodhen në këto kushte, – tregon doktoreshë Silvana, – sepse mjekë të tjerë ua kanë rekomanduar”.

Global