Stafi akademik dhe administrativ i Universitetit të Evropës Juglindore, nga 23-25 gusht të këtij viti, ka marrë pjesë në trajnimin e organizuar në Bansko të Bullgarisë. Trajnimi synonte shqyrtimin e rrjedhave aktuale në Universitet, me qëllim të ruajtjes dhe zhvillimit të standardeve, si në mësimdhënie ashtu edhe në shërbimet administrative dhe kujdesin ndaj studentëve. Anëtarët e menaxhmentit, profesorë dhe udhëheqës të administratës prezantuan qasjet e tyre lidhur me rritjen e cilësisë, duke përcaktuar standardet për performancën akademike dhe administrative, kurse gjatë punës në grupe u realizuan diskutime për  standardet e  pranueshme bazuar në instrumentet e  sigurimit të cilësisë dhe hapat e ardhshëm në këtë drejtim, Agjenda e hulumtimit: si të përmirësojnë aktivitetet hulumtuese; prezantim dhe diskutim, promovimi i aplikimit praktik të njohurive  për përgatitje më të mirë për tregun punës, Krijimi  i rezultateve nga të mësuarit nga puna praktike/ Internship për programin e studimit , formularët e siguruar, – Motivimi i studentëve për prezencë në klasë – strategjitë, metodat, teknikat, lidhja mes studentëve të doktoraturës dhe mentorimit, si të arrihet përsosmëria, testi kryesor i fushës për shkencat kompjuterike: një vegël, vlerësimi i plotë i rezultateve universitare, i dizajnuar për të matur njohuritë dhe të kuptuarit kritik të fituar nga studentët, Rregullorja e ciklit të tretë, etj.

Në prezantimin e tij, rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, e theksoi rëndësinë e realizimit të qëllimeve të Planit strategjik 2018-2020, i cili synon profilizimin rajonal dhe ndërkombëtar të Universitetit si dhe veçimin e tij si model ndryshe i arsimit sipëror në Maqedoni.

“Ka tendenca të ndryshme në zhvillimin e arsimit sipëror dhe në këtë drejtim edhe në zhvillimin e universiteteve, por ne duhet të zhvillohemi, ta ruajmë qëndrueshmërinë dhe njëkohësisht të kemi mësimdhënie dhe arsim cilësor”, tha rektori Dika.

Sipas tij, teknologjia po zhvillohet me hapa marramendëse dhe tani gjendemi në prag të një qasjeje të re, e cila po ndryshon jo vetëm trendet ekonomike, por edhe mënyrën tonë të jetesës. Jemi në prag të revolucionit teknologjik.

“Universiteti ynë, po bënë hapa konkret që të jetë në harmoni me këto trende dhe i përgatitur që t’i realizojë qëllimet dhe misionin e tij”, theksoi ai.

Për mbarëvajtjen e trajnimit u kujdes këshilltarja ekzekutive për cilësi, Prof. Dr. Veronika Kareva dhe Zyra për cilësi e UEJL-së. Temat e trajnimit rrjedhin nga procedura e vetëvlerësimit, e cila plotësohet çdo vit nga secili anëtar i stafit. Kjo, është hera e gjashtë, që i gjithë stafi i Universitetit të Evropës Juglindore të organizojë trajnime të përbashkëta jashtë kampusit të universitetit.