Skënderbeu është njohur dje me kundërshtarin e “play-offit” në Ligën e Evropës. Ashtu si dy vite më parë, shorti ka vendosur “Ujqërit” përballë gjigantit kroat, Dinamo Zagreb.

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja e sheh kundërshtar shumë të fortë Dinamon e Zagrebit, por jo të pakalueshëm.

Tekniku bardhekuq ka folur për faqen zyrtare të klubit rreth kundërshtarit dhe shanset e Skënderbeut për kualifikim.

“Çdo kundërshtar që do na binte do të ishte i vështirë dhe i fortë. Dinamo Zagreb është një klub me histori. Përveç lojtarëve cilësorë ka dhe menaxhim të mirë”.

“Skënderbeu e ka pasur përballë para dy vitesh dhe e njeh pak a shumë. Për momentin nuk kam parë ndeshje të tyre por duke filluar nga sot do filloj të mbledh materialin për të nxjerrë konkluzionet”.

“Dinamo vjen si favorite, por ne besojmë dhe do bëjmë gjithçka për të kaluar më tej. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të tregojmë se nuk jemi rastësisht këtu”, u shpreh Daja.