Një tragjedi e vërtetë me të cilën do t’i duhet të jetojë për tërë jetën e saj. Ky ishte fati i pashmangshëm i një 27 vjeçareje shqiptare, e cila ka pësuar një aksident automobilistik teksa udhëtonte me një mike të saj, edhe ajo me origjinë nga Shqipëria.

Incidenti ka ndodhur në Itali mbrëmjen e së hënës në rrugën Don Gnochi në komunën Inverigo. 27 vjeçarja ishte shtatzënë në muajin e shtatë. Përplasja ka qenë tepër e fortë, aqsa është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët kanë prerë më sharrë tavanin e makinës për të nxjerrë nga aty të renë dhe miken e saj. Identiteti i dy vajzave shqiptare nuk bëhet me dije nga media italiane.

Pas nxjerrjes së dy të rejave nga hekurishtet e makinës të dyja janë transportuar në spitalin e Comos. Gruaja shtatzënë ka humbur foshnjën e saj, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën. 27 vjeçarja aktualisht ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore. Mikja e shqiptares shtatzënë fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana tjetër, shoferi i makinës me të cilën u aksidentuan shqiptaret, një italian i moshës 57 vjeçare ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet që sollën një tragjedi të vërtetë.