Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson i ka bërë të qartë homologut rus Sergei Lavrov se mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ka një klimë “serioze” mosbesimi për shkak të ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet presidenciale.

Rex Tillerson, sipas BBC, ka deklaruar se veprimet e Rusisë kanë dëmtuar marrëdhëniet, por nga ana tjetër ka theksuar se nuk është e dobishme që për një çështje të vetme të ndërpriten të gjitha lidhjet.

“Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen më 1 shtator dëbimit nga Rusia të 755 anëtarëve të stafit diplomatik të ambasadës amerikane në Moskë”, ka thënë më tej Tillerson.

Agjencitë amerikane të inteligjencës besojnë se Kremlini u përpoq të ndihmonte Trump në zgjedhjet presidenciale, akuzë të cilën Moska e mohon.

Por situata është tensionuar më shumë pas miratimit të sanksioneve të reja ndaj Rusisë nga presidenti Trump.

“Ka shumë mosbesim mes dy vendeve tona dhe na duhet të gjejmë një rrugë për ta zgjidhur këtë problem”, i ka thënë Tillerson ministrit Lavrov.

Ai ka thënë gjithashtu se takimi me shefin e diplomacisë ruse ka shërbyer për të kuptuar se sa serioze është situata dhe sa seriozisht ka dëmtuar ajo marrëdhëniet dypalëshe.

Sekretari i Shtetit ka shtuar se megjithatë dy vendet mund të bien dakord për të nisur bisedimet për situatën në lindje të Ukrainës, me qëllim dhënien fund të dhunës.