Thaçi ka thënë se është e papranueshme që tërë këto vite nuk është zbardhur fati i të pagjeturve “Kam qenë dhe mbes i angazhuar që çështja e të pagjeturve të mbyllet shpejt dhe drejt.

Personalisht do të angazhohem që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të mbyllet ky kapitull”, tha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Këto komente presidenti i ka bërë gjatë një fjalimi në konferencën e organizuar nga Qendra Burime për Persona të Zhdukur që po mbahet në Prishtinë.

Thaçi po ashtu ka thënë se është i njoftuar për sfidat për identifikimin e gjetjeve mortore të të pagjeturve dhe se është e kuptueshme dhimbja e familjeve të cilët qe gati dy dekada presin për familjarët e tyre. “Çështja e personave të pagjetur kërkon maturi, durim dhe dhembshuri”, tha presidenti. Sipas tij çdo iniciativë e familjarëve apo kujtdo tjetër do të ketë përkrahjen institucionale dhe të tij për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.