Në temperatura tropikale me mbi 40 gradë një pjesë e madhe e qytetit të Tetovës, vuan mungesën e ujit për pije. Që prej një muaji pa ujë ka mbetur i tërë fshati Reçicë, ndërsa me probleme në furnizimin me ujë për pije prej vitesh përballet edhe lagja Bregu i Diellit e cila ujin e siguron përmes përrenjve të malit.

“Besoni ose jo, ky është rrjeti i improvizuar i ujësjellësit në lagjen bregu i Diellit këtu në Tetovë, ndërsa kjo kofë e thyer dhe e mbushur me mbeturina, është akumuluesi i ujit që shpërndahet nëpër këta shtëpi. Deri në ditën e sotme ka pasur shumë kryetarë të komunës së Tetovës dhe që të gjithë kanë pasur projekt për realizimin e ujësjellësit  për Bregun e Diellit, por asnjëri deri në këto momente nuk e ka realizuar të njëjtin”.

Banorët shprehen të revoltuar dhe kritikojnë ashpër institucionet kompetente të cilat sipas tyre nuk janë të afta të zgjidhin problemet elementare të qytetarëve.

“Me ujin dobët jemi, dobët shumë, s`ka aspak ujë, unë bile kam pusin tim këtu por dobët është. Mëhalla askund s`ka ujë, çatë çezmën aty e kemi marrim nga pak dhe asgjë”.

“Jo ujë jo, skam ka tre apo katër ditë, ndonjëherë kur vjen mbushim, s`ka. Për të pirë më shumë blejmë”.

A ka qenë dikush tua pyes hallin?

“Jo jo jo asnjëherë s`kanë ardhur, vetëm votime kur ka. Atë vit që u bënë vërshimet ishte Teuta dhe ata tjerët shëtitën pak këtu”.

Nga ana tjetër, drejtori i Ndërmarrjes Publike thotë se rezervuarët e ujit kanë mjaftueshëm ujë, ndërsa mungesa ndodh si pasojë e keqpërdorimit të tij nga qytetarët e pandërgjegjshëm.

Në kohë të fundit qytetarët e rrugës 188 dhe 195 si dhe rruga që shpie për në Gjermë, kanë problem me ujin e pijshëm edhe pse në Tetovë për momentin kemi 340 litra ujë në sekondë dhe plus dy puse pra gjithsej 380 litra në sekondë, por kjo ka të bëj me keqpërdorimin e skajshëm të ujit të pijshëm prandaj ne kemi apeluar lagjet e pjesës poshtme të kenë pak mëshirë dhe mos ta keqpërdorin që edhe ata qytetarë të periferisë të kenë ujë, dhe për pasojë ne nga mbrëmë jemi detyruar të bëjmë restrikcion nga 00:30 deri në tre të mëngjesit – deklaroi Xhelal Ceka. Drejtor i NPK Tetova.

Në mungesë të ujit të pijshëm banorët e lagjeve të lartpërmendura në të shumtën e rasteve janë të detyruar të përdorin edhe ujë jo higjienik duke mos përjashtuar edhe helmimin e banorëve./alsat-m