Tërmeti që goditi mbrëmjen e djeshme ishullin e Ischias ka shkaktuar të paktën 2 të vdekur e 26 të plagosur, si dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesat e vjetra të ishullit turistik.

Bëhet fjalë për dy gra që kanë humbur jetën si pasojë e shembjeve nga tërmeti, ndërsa fatmirësisht është nxjerrë i gjallë një fëmijë 17- muajsh.

Mediat italiane raportojnë se dy vëllezër ende janë në rrënojat e shtëpive të shembura dhe po gërmohet që të nxirren të gjallë, për të mos e rritur bilancin tragjik të tërmetit.

Tërmeti kishte një magnitutë 4 ballë të shkallës Rihter dhe epiqendra e tij ishte vetëm 3 kilometra larg ishullit, duke bërë që ai të ndihej fort në zonë.

Tërmeti ra rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, dhe ka shkaktuar shumë dëme materiale.

Spitali i Iskia është evakuar për arsye sigurie. Një pjesë e mirë e Iskia është pa energji elektrike, përfshi dhe portin.

Lëkundjet janë ndjerë dhe në pjesë të tjera të ishullit, si Barano dhe Forio. Forcat e shpëtimit janë në terren për të dhënë ndihmën e tyre.