Armando Sadiku nuk është stërvitur me pjesën tjetër të ekipit para ndeshjes që Shqipëria e zhvillon me Lihtenshtejnin.

Dëmtimi i Bekim Balajt dhe përjashtimi i Sokol Cikalleshit kishte bërë thuajse fakt të kryer aktivizimin e Armando Sadikut si titullar në ndeshjet e radhës të përfaqësueses shqiptare.

  Por, futbollisti i cili ka gjetur 3 herë rrugën e rrjetës me kuqezinjtë gjatë këtyre eliminatoreve, sot ka munguar në të dy seancat stërvitore, duke krijuar jo pak dhimbje koke për trajnerin e ri i cili nuk ka një tjetër “qendër” të mirëfilltë në dispozicion.

Sadiku po kalon një virozë gripale dhe trajneri fillimisht vendosi që ta linte pushim futbollistin gjatë seancës së paradites, duke ndjekur këshillat e stafit mjekësor.

Meqë situata shëndetësore nuk u përmirësua, Sadiku mungoi edhe gjatë stërvitjes së pasdites, duke komplikuar disi edhe përgatitjet e Christian Panuccit për sfidën, pasi trajnerit i duhej të improvizonte me rolin e sulmuesit në ndeshjen që zhvilloi brenda grupit, raporton Albeu.

Duke qenë i pasigurt për gjendjen e sulmuesit e sidomos duke mos dashur që ta rrezikojë atë për testin më të vështirë, atë kundër Maqedonisë, Panucci ka monitoruar sot me kujdes paraqitjet e Llullakut, Grezdës, Ahmedit e Latifit.

Këta katër lojtarë, ndonëse asnjë nuk luan si qendërsulmues i mirëfilltë, mund të jenë alternativat mes grupit aktual, për të zënë vendin e Sadikut në formacion nëse ky i fundit nuk është në formën më optimale për ndeshjen e fundjavës ndaj Lihtenshtejnit.