Armend Alimi është një nga liderët e Shkëndijës së këtij sezoni. Mesfushori 29-vjeçar i skuadrës nga Tetova numëron dy gola në dy sfidat e para të kampionatit, ndaj Vardarit kampion dhe të hënën kundër Shkupit.

Prej 4 sezonësh në radhët e kuqezinjve, ai është gjithashtu një nga veteranët e kësaj skuadre dhe në prag të duelit të dytë të Europa League kundër Milanit, Alimi premton se skuadra do të japë maksimumin në fushën e lojës, pavarësisht humbjes së thellë në përballjen e parë.

Vetë ardhja e Milanit në Shkup është shpërblim për lojtarët e Shkëndijës dhe tifozët e saj. Jemi të zhgënjyer nga ndeshja e parë, por futblli i ka këto. E presim me padurim këtë ndeshje, jemi shumë të motivuar për të treguar se rezultati i ndeshjes së parë nuk është i drejtë, por këtë duhet ta vërtetojmë në fushë. Do të luajmë për tifozët, të cilët do të na ndjekin me shumë interes”, tha lojtari i Shkëndijës.