Operacionet anti-kanabis janë shtrirë në të gjithë vendin, ndërsa në media tashmë është bërë e ditur se qeveria ka në dorë një listë me rreth 124 persona që janë kultivues të kësaj droge.

Por ndonjëherë, protagonizmi i policisë së shtetit të lë me të vërtetë pa fjalë. I tillë është rasti që ka ndodhur në Delvinë, ku policia ka raportuar se ka kryer një operacion anti- kanabis dhe ka sekuestruar plot 4 bimë.

Katër??? Po po, katër bimë kanabis gjatë një aksioni për kontrollin e territorit!

Madje në njoftimin e policisë jepen dhe detajet sesi është gjetur kjo sasi e frikshme droge. Policia më tutje nuk harron të saktësojë se është në kërkim të “trafikantit” të madh që ka mbjellur në fshatin Tatzat sasinë e “konsiderueshme”.

Për këdo që nuk beson, më poshtë njoftimi i plotë i policisë së Delvinës:

Komisariati i Policisë Delvinë Më datë 09.08.2017, në fshatin Tatzat, njësia administrative Vergo, në vendin e quajtur Gjimadhe, në një terren të pyllëzuar, gjatë kontrollit të territorit u gjetën të mbjella 4 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa. Punohet për identifikim dhe kapjen e autorit. Neni 284 i Kodit Penal.