Nuk mund të përballojmë më shumë vonesa. Ndoshta në aspektin e politikës së brendshme, vendime të tilla mund të shkaktojnë dëme të përkohshme, por në kontekstin afatgjatë, historik, ato do të jenë në favor të shtetasve të Maqedonisë, ka deklaruar kështu në intervistën e tij të fundit kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Kryetari i kuvendit z. Talat Xhaferi, më tej thotë: “Unë jam optimist nga natyra. Qeveria e re bëri hapin e parë me marrëveshjen me Bullgarinë për fqinjësi të mirë. Hapa të drejtpërdrejtë janë ndërmarrë për të kontaktuar me Athinën zyrtare, me qëllim të zgjidhjes së çështjes së emrit. Ju e dini se ka edhe një debat mes kishave të Maqedonisë dhe Serbisë. Në këtë kuptim, Republika e Maqedonisë nuk ka problem vetëm me Shqipërinë dhe Kosovën, përkundrazi. Ky fakt duhet të përdoret në mënyrë pozitive, për të theksuar se të tilla duhet të jenë të gjitha marrëdhëniet tona rajonale. Pra, çështja me Greqinë, edhe pse e komplikuar, mund të zgjidhet me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë.