Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov sot u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë Nikos Koxias, i cili qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë.

Në takim janë këmbyer mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë.

Presidenti Ivanov, siç informojnë nga kabineti i tij, e ka përshëndetur vizitën e sotme të ministrit Koxias në Republikën e Maqedonisë, si vazhdim të dialogut të deritanishëm në nivel ministror dhe apeloi për përshpejtim të procesit të implementimit të masave për ndërtim të besimit, nëpërmjet vendosjes së përmbajtjeve të reja në bashkëpunimin bilateral dhe propozimin e masave shtesë.

“Masa më e madhe e cila do të ndikojë në besimin e ndërsjellë dhe do të krijojë atmosferë më të mirë është nëse Greqia i zhbllokon proceset euroatlantike të Republikës së Maqedonisë dhe  mundësojë të mos i shkurtohet e drejta e prosperitetit”, ka theksuar në takim presidenti Ivanov.

Intensifikimi i bashkëpunimit të përgjithshëm mes dy vendeve do të kontribuojë në krijimin e klimës pozitive, që nevojitet për tejkalimin e dallimit bilateral rreth emrit, vlerësoi presidenti Ivanov në takimin me ministrin grek të Punëve të Jashtme.

Presidenti i Maqedonisë e riafirmoi interesin e Republikës së Maqedonisë për mbajtjen e dialogut politik në nivel më të lartë. Në këtë drejtim, presidenti Ivanov shfaqi shpresë për takim me presidentin Prokopis, edhe krahas, siç tha, kritikave të tyre të shpeshta ndaj Republikës së Maqedonisë, dhe ka shprehur pritjen se retorika në të ardhmen do të jetë më e matur me qëllim të avancimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore në frymën e vlerave dhe standardeve evropiane .

Në këtë drejtim, presidenti Ivanov ka shprehur pritjen se kryeministri grek do të merr pjesë në samitin Bërdo-Procesi Brion, nikoqir i së cilës vitin e ardhshëm do të jetë Ivanov.

“Periudhën e kaluar kisha mundësinë disa herë të bisedojë me kryeministrin Cipras dhe pres kjo dinamikë pozitive e komunikimit dhe bashkëpunimit, posaçërisht në kohën e krizës migruese, të vazhdojë edhe periudhën e ardhshme, si bilaterale, ashtu edhe lidhur me projektet me rëndësi rajonale”, tha presidenti Ivanov në takim.

Të dy bashkëbiseduesit këmbyen mendime rreth zhvillimit të mundur të krizës migruese në periudhën e ardhshme, me ç’rast presidenti Ivanov ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes shërbimeve të zbulimit dhe policore, në mbështetje të sigurisë rajonale për kanosjet e përbashkëta dhe nivelin e kanosjes nga migrimi ilegal.