Takim pune me përfaqësues të shumë organizatave joqeveritare të boshnjakëve në Republikën e Maqedonisë u mbajt sot në hapësirat e Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive (ARDB) nën 20 për qind.

Në Takimin, u.d. drejtori i ri Ilham Rahman dhe u.d. zëvendësdrejtori Xhelal Hoxhiq i kanë njoftuar të pranishmit me punën e Agjencisë për realizimin e të Drejtave të Bashkësive, si dhe angazhimin që të ngritet dukshmëria e problemeve të bashkësive në shoqëri.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, siç informojnë nga Agjencia, kanë folur për problemet e komuniteti boshnjak në realizimin e të drejtave, të cilat u takojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve në Republikën e Maqedonisë.

Drejtorët e ARDB shfaqën gatishmëri në emër të institucionit të punojnë në projekte të përbashkëta me organizatat joqeveritare, për promovimin e të drejtave të bashkësive, si dhe në largimin e pengesave për realizimin e të drejtave të tyre.