Pas ndeshjes midis gjigandëve të futbollit Real – Manchester në Shkup, në finalen e Superkupës, ishte dhe një provë për shtetin dhe politikën maqedonase se si do t’i qasej raporteve etnike, më gjegjësisht elementit shqiptar.

Në stadiumin “Filipi II­ Arena”, para 1 miliardë shikuesve nga e gjithë bota, Maqedonia u prezantua pa asnjë element shqiptar. Spektakli me elementë folklorikë, ishte vetëm me muzikë tradicionale maqedonase dhe po ashtu me valleve nga ansamblet maqedonase, shkruan Zhurnal. Kjo ka bërë që të reagoj edhe zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. Ai në rrjetin social facebook ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë të shpjegohet pse organizatorët e programit artistik nuk e shfaqën asnjë element të kombit shqiptar.

“Ndoqa një ndeshje tamam mes gjigantëve të futbollit evropian. Dëshmuam se mund të organizojmë edhe manifestime të këtij rangu! Ama, organizatorët e programit artistik sikur harruan se Maqedonia është shumëtnike…! FFM të shpjegohet!” ka shkruar Osmani në dy gjuhët.