Fitorja ndaj Tottenhamit ka rikthyer buzëqeshjen te Chelsea, që pas humbjes së papritur në javën e parë 2-3 në shtëpi me Burnley, mposhti 2-1 një nga ekipet rivale për titull.

Skuadra e Spurs-ave nuk arriti të mposhtë “blutë” në derbin londinez, edhe pse kjo e fundit kishte shumë mungesa në përbërje. Dhe gjithçka për meritë të trajnerit Conte, që kishte ndryshuar skemë, duke hedhur në fushë një Chelsea kompakt, që linte pak hapësira.

Ajo që binte në sy ishte ndryshimi i skemës së lojës së trajnerit Conte, nga e famshmja 3-4-3, që vjet i dha titullin në Premier League, në skemën 3-5-1-1.

Mediat britanike shprehen se pavarësisht rezulatit, Chelsea ishte një skuadër shumë mbrojtëse, duke kritikuar zgjedhjet e trajnerit italian edhe pse ai arriti të fitojë ndeshjen.

Ruud Gullit, që ka detyrën e analistit për BBC, u shpreh se “treshja David Luiz, Bakayoko dhe Kante, vendosur para mbrojtjes, ishte hermetike, një mburojë, që futi në kurth treshen sulmuese të Tottenham: Kane, Alli e Eriksen”.

Në këtë mënyrë, Spurs tentuan të luanin nga krahët, duke hedhur në zonën e Chelsea 23 topa, por vetëm 2 prej tyre përfunduan te lojtarët e Tottenham.

Edhe e përditshmja “Telegraph” tha se Conte kishte parkuar autobuzin para portës, duke aplikuar në Premier League skemën e famshme të “catenaccio”.

“Chelsea luajti me një skemë antike italiane, të viteve ’90, shumë mbrojtëse, një skemë që kalonte në 5-3-2 kur sulmonte skuadra e Spurs”, thonë mediat britanike.

Gjithsesi, Conte nuk trembet nga këto kritika dhe shijon fitoren dhe 3 pikët.