Gjuha shqipe dhe ripërtëritja e Republikës

I nderuar z. Kryeministër,

Ardhja juaj në pushtet këtë vit, ngjalli shpresë të madhe te shumica e qytetarëve të RM-së. Pas gjithë atyre viteve pushtet nga e djadhta maqedonase në bashkqeverisje me shqiptarët e RM-së, më në fund, një orientim tjetër i doli ballë duke e marr të drejtën për të formuar qeverinë e re të RM-së.
Sigurisht se rruga juaj për në pushtet, nuk ishte aspak e lehtë, ngase ishte e shoqëruar me dhunë nga pala VMRO-DPMNE, deri sa u derdh edhe gjak në Institucionin më të lartë të Republikës.

Për të qenë aty ku jeni, nuk do mend se pa votën e shqiptarëve, nuk do zotëronit sot kolltukun e Kryemintrit të Republikës. Gjatë fushatës zgjedhore, gjatë vizitave ndër shqiptarë, gjatë vizitës në Kumanovë dhe vizitave tjera, ju i dhatë sërisht shpresën shqiptarëve mbi imagjinarin kolektiv të Republikës dhe kjo shpresë u kapitalzua edhe me votën e shqiptarëve në favorin tuaj.

Por, fatkeqësisht, nga marrja e pushtetit e deri më tani, ju shkelët mbi dy principe madhore :

1. moszbulimin e rastit « Monstra » (dhe rasteve tjera) – parapëlqyet heshtjen mbi të vërtetën
2. moszyrtarizimi i gjuhës shqipe – konfirmim i maqedoneizimit të Republikës

Pikërisht shkelja mbi këto dy principe dhe mbi imagjinarin e barazisë që më shitët në Aeroportin e Bazelit në 2015-tën e që sot s’duket, më shtynë që t’ju shkruaj e të mos qëndroj duarkryq përpara kësaj padrejtësie dhe kontinuiteti të modelit të vjetër që sulmon në vazhdimësi imagjinarin e përbashkët – Republikën.

Zotëri Kryeministër,

Ju jeni të vetëdijshëm se tani është momenti historik për të shpëtuar Republikën, këtë grumbullues imagjinarë diverziteti dhe pluraliteti ; duke e zyrtarizuar gjuhën shqipe (barazuar me gjuhën maqedonase) kësisoji do të rregulloni një herë e përgjithnjë problemin e dy popujve shtetformues. Sigurisht, unë nuk po futem këtu në juridicizëm por vetëm ju flasë për principe që do çonin në marrëdhenie të mira shoqërore në mes dy etnive shtetformuese e duke punuar për një Republikë demokratike dhe sociale, e jo identitare, ksenofobe, raciste dhe intolerante siç është që nga pavarësimi e deri më sot. Mentaliteti arkaik se maqedonasit janë superior ndaj shqiptarëve, e përulën Republikën dhe çon një rrugë të pasigurt në të ardhmen.

Vetë detyra e parë e shtetit është t’i mbrojë qytetarët e vet. E si më mbronë mua sot Republika kur më mohon gjuhën në vendin tim autokton, në vendin ku jam shtetformues dhe ku jam përcaktuar për shtet të përbashkët me maqedonasit dhe komunitetet tjera ?

Barazia është pra një domosdoshmëri për të mbajtur gjallë Republikën ngase mosbarazia vret idealin demokratik, pra, vret të ardhmen tonë të përbashkët dhe shpresën e Republikës. Në qoftë se hapërojmë për barazi të plotë në mes dy etnive, sigurisht se edhe e ardhmja do jetë më e ndritur duke shpresuar edhe integrimin në BE dhe NATO. Por, mos mendoni se integrimi në BE dhe NATO pa barazimin e plotë të dy etnive do jetë integrim premtues dhe zhvillues. Përkundrazi, ka vende anëtare të BE-së mirë të integruara dhe me ekonomi të fortë, e që në anën tjetër kanë probleme ekzistenciale me popujt e vet.
Definitivisht, parë edhe empirikisht, integrimi në strukturat supranacionale nuk rregullon problemet tona të brendshme, ato duhet t’i rregullojmë ne.

Zotëri Kryeministër,

Mos vritni shpresën e qytetarëve të RM-së, mos vritni idealin republikan, e mos na bëni të ndjehemi se u rrëzuam nga Charybda te Scylla. Shqiptarët ju dhanë votën për të bërë një kthesë historike që s’është bërë që nga pavarësimi – 27 vite që presim.
Gjithashtu, mos rrëshqisni në ekonomizëm ; mos mendoni se duke e rregulluar ekonominë vendore dhe duke i mbushur sadopak xhepat e shqiptarëve, e keni të rregulluar problemin shqiptar. Problemi shqiptar është problem mitologjik maqedonas dhe politik. Në mitologji të fshyhet ndryshku racial e të zëvendesohet me barazinë qytetare, kurse në demokraci, të zyrtaryzohet gjuha shqipe dhe të njihet statusi shtetformues i shqiptarëve në Republikë.

Në qoftë se këto dy principe nuk i zbatoni në poltikën tuaj të ardhshme, dijeni zotëri Kryeministër se rrezikoni idealin republikan dhe bashkëjetesën tonë. Mos harroni, nuk ka popull në historinë e njerëzimit që ka pranuar padrejtësinë. Të mos ngatërrojmë pamundësinë e të revoltuarit me ndjenjën dhe padrejtësinë.
Për këtë arsye, po që jeni republikan i vërtetë dhe një qeveri me memorje, punoni në drejtimin e barazisë duke na bërë të besojmë edhe në të ardhmen mbi Republikën. Mos u kapuni për botën e djeshme, por për botën e nesërme – pra për një Republikë evropiane.

Duke shpresuar se do punoni në pikat e lartëpermendura dhe në ripërtëritjen e Republikës, u uroj zotëri Kryeminstër, punë të mbarë dhe shumë shpresë.

Me nderime,

Mustaf Veseli, student në Universitetin e Lozanës