Studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës, muajin e kaluar morën pjesë në Manifestimin ,,Ditët kulturore dhe sportive të studentëve”, që u mbajt në Sarajevë. Ky manifestim u organizua nga Qendra për zhvillim dhe afirmim të kulturës dhe edukimit ,,Litteratus” dhe Universiteti i Sarajevës.
Në kuadër të këtij manifestimi u organizuan edhe gara të ndryshme sportive në futboll, basketboll, volejboll plazhi dhe shah, në të cilat garuan edhe studentët e Universitetit të Tetovës.
Në këto gara, pjesëmarrës kanë qenë mbi 50 universitete, ndërsa në futboll dhe basketboll ekipet e Universitetit të Tetovës e fituan vendin e dytë.
Drejtuesit e Fakultetit të Kulturës Fizike të UT-së, e vlerësojnë lartë përfshirjen e fakultetit të tyre në ngjarje të këtij niveli akademik, ku tubohen studentë dhe profesorë nga universitete prestigjioze nga rajoni dhe më gjerë.
Ata thonë se Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Kulturës Fizike përpos realizimit me sukses të procesit mësimor – shkencor, është mjaft i angazhuar dhe jep kontribut të çmuar në organizimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarive të ndryshme sportive.
Gjatë qëndrimit të tyre në Sarajevë, studentët janë udhëhequr nga Prof. Dr. Fadil Nika, Doc. Dr. Kastriot Shaqiri dhe Doc. Dr. Agim Rexhepi.