Në një letër të hapur, Albin Kurti sot ka propozuar atë që ai e ka quajtur ‘dalje nga bllokada institucionale’, por që në fakt, sipas PDK’së, kjo është vetëm një lojë e tij për ta zvarritur edhe më tej konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së Kosovës.

“Kurti po kërkon haptazi, me vetëdije të plotë, që partitë opozitare ta shkelin Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit”, ka thënë anëtari i PDK’së, Blerand Stavileci për Gazetën Metro.

Sipas tij, Kurti vetëm sa e ka zbuluar planin e partisë së tij që deputetët të cilët marrin pjesë në seancë ta propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas, duke shpresuar se mund ta marrin ndonjë votë më shumë, ta votojnë kundërligjshëm kandidatin e tyre, përkundër faktit se kjo e drejtë kushtetuese na takon vetëm neve.

“Kurti faktikisht është i interesuar që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë vetëm një vendim skandaloz dhe të papranueshëm, të cilin do e dërgonim në Kushtetuese, i cili më tej do e zgjaste bllokadën me muaj të terë, deri pas zgjedhjeve lokale, duke tentuar kështu që t’i krijoj një momentum më të mirë dhe mundësi më të mëdha vetes që pas zgjedhjeve lokale edhe LDK-ja ta konsideronte një koalicion me të”, ka thënë Stavileci.

Vetëvendosje, sipas Stavilecit, vetëm po provon të shpikë metoda të reja për vazhdimin e bllokadës.

Edhe Kurti në letrën e tij ishte i vetëdijshëm se PAN mund të mos pajtohet me këtë veprim, duke thënë se ata do të kenë mundësi që ta çojnë këtë çështje para Gjykatës Kushtetuese.