Një çift i ri nga Stambolli që merr mësime për zhytje ka organizuar nën ujë “natën e kënasë”, një ceremonia që mbahet nga ana e nuses në prag të martesës tradicionale në Turqi.

Seyhan Acar dhe Erdiç Çoruhlu, të dy kursantë në një klub të zhytjes dhe po përgatiten ta kalojnë jetën bashkë, kanë zgjedhur një mënyrë ndryshe nga e zakonshmja për këtë ceremoni.

Seyhan Acar, së bashku me shoqet e saj, janë zhytur nën ujë në Beylikduzu të Stambollit, ku gjendet klubi, duke u argëtuar dhe kaluar çaste zbavitëse.

Sipas traditës, ajo ka vendosur këna në duar, ndërsa të ftuarit kanë vallëzuar rreth nuses dhe kanë lozur me def.

Kurse dhëndri i është bashkangjitur më pas këtij ahengu nënujor, njofton Anadolu Agency.

“Desha që natën e kënasë ta realizoj në vendin ku ndihem më e lumtur”, thotë Acar, sipas të cilës pjesa nën ujë është vendi ku ajo kënaqet më së shumti.