Barcelona bëri sot homazhe, në katedralen e njohur të Sagrada Familia, për viktimat e atentateve të Katalonjës, ndërkohë që policia ka zbuluar detaje tronditëse për vrasësit, të cilët dispononin 120 bombula gazi.

“Autorët e atentateve të së enjtes dhe të premtes në Spanjë po përgatisnin kryerjen e një apo disa sulmeve të njëpasnjëshme, kur një gabim ka shkaktuar shpërthimin që shkatërroi banesën ku po përgatiteshin sulmet”, deklaroi kreu i policisë katalanase, Josep Lluis Trapero.

“Në këtë banesë në Alcanar, 200 kilometra në jugperëndim të Barcelonës, xhihadistët kishin depozituar 120 bombula gazi”, theksoi ai duke shtuar se policia e kishte bërë këtë zbulim duke inspektuar në gërmadhat e banesës.

Pas shpërthimit që ndodhi të mërkurën në mbrëmje, celula ndërmori një atentat të dysfishtë me automjete në Barcelone dhe Cambrils duke shkaktuar 14 të vdekur dhe 100 të plagosur, përcjell Atsh.

I pranishëm në shërbesën fetare të rrethuar nga masa të larta sigurie, përfshirë snajperët në tarracat e ndërtesave aty pranë, ishte edhe kryeministri Mariano Rajoy.

Kardinali Juan Jose Omella, kryepeshkopi i Barcelonës bëri thirrje për paqe e unitet, duke shtuar se “ne do ta kapërcejmë frikën”.