Ivan Perisic do të mbetet thjesht një ëndërr për Manchester United dhe Jose Mourinhon. Kroati ishte objektivi i parë i “Djajve të Kuq” për krahët e sulmit, por pavarësisht milionave që i ofroi United, 28-vjecari ka zgjedhur të qëndrojë te zikaltërit.

Gjithçka për meritë të trajnerit Luciano Spalletti, i cili ka arritur ta bindë Periscin të vazhdojë aventurën e tij me Interin, pasi zikaltërit kanë projekt ambicioz dhe kërkojnë të rikthehen sa më shpejt në majat e futbollit italian dhe atij europian.

Ivan është i vendosur për të qëndruar, kam biseduar me futbollistin dhe ai dëshiron të bëjë mirë tek Interi, duke treguar të gjithë profesionalitetin e tij”, ka thënë tekniku zikaltër.

Interi ndërkohë pritet t’i ofrojë një kontratë të re Perisicit me një pagë të përafërt me atë të Mauro Icardit, duke zgjatur marrëveshjen aktuale nga 2020 në 2021-shin, me lojtarin që mund të përfitojë 5 milionë euro në sezon plus bonuset.