Në pjesën e katërt të serisë së rrëfimeve që boton “Koha Ditore” flet H.H., një nga gratë që tregon se si paramilitarët serbë nga kolonat e refugjatëve i ndanin femrat më të bukura dhe i dhunonin me ditë.

Si të gjitha rrëfimet, edhe ky është lënë në vetën e parë, autentik, ashtu si e ka treguar viktima…

Atë e kanë ndarë nga kolona, njësoj sikur se edhe shumë gra të tjera. Paramilitarë serbë i kanë marrë femrat më të bukura dhe i kanë vendosur brenda shtëpive të braktisura. Dy muaj e gjysmë ajo kishte bashkëjetuar me një paramilitar. Nuk ia di emrin, por thotë se sot është në gjendje ta vizatojë.

Në kohën kur nuk kishte qenë aty, paramilitari e kishte mbajtur të mbyllur në dhomë. Në dhomat tjera kishte gra të tjera që mbaheshin njesoj.

“Në fillim rezistojsha mandej u dorëzova krejt”, rrëfen dëshmitarja. Ajo tregon se si serbi i jepte edhe komplimente, derisa pinte qumështin që dilte nga gjinjtë e saj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rrëfimi në veten e parë: Ju shqiptaret jeni të mira
H.H
Unë jam prej një familje të varfne. E kom pasë babën edhe nanën, jemi konë edhe pesë fëmijë. Dy vllazën e tri motra, unë jam ma e vogla. Kur i kom pasë tri vjet t’plota m’ka dekë baba, nana m’ka rritë jetime. Na ka rritë nana me punë t’dorës edhe na ka rritë me shumë hjeka. Me vështirësi na ka shkollu deri në klasën e tetë…