Vlerësim më të volitshëm për gjendjen e firmave në industrinë e përpunimit në korrik në krahasim me qershorin e këtij viti dhe në krahasim me korrikun e vitit të kaluar kanë dhënë udhëheqësit e firmave. Pritet që numri i të punësuarve të rritet, bëri të ditur sot Enti Shtetëror për Statistikë.

Indikatori i besimit në industrinë e përpunimit, sipas vlerësimit të udhëheqësve, në korrik në krahasim me qershorin e këtij viti është më i lartë për 0,4 për qind, ndërsa në krahasim me qershorit e vitit të kaluar për dy për qind.

Situata e sigurisë e prodhimtarisë me porosi në korrik në krahasim me qershorin e këtij viti është më e volitshme, pritjet për vëllimin e prodhimtarisë në tre muajt e ardhshëm janë më të volitshme në krahasim me muajin paraprak, ndërsa rezervat e prodhimeve të gatshme janë rritur në krahasim me qershorin e këtij viti.

Shfrytëzimi mesatar i kapaciteteve të subjekteve afariste, muajin e kaluar ka arritur 65,3 për qind nga shfrytëzimi normal.

Ndikim më të madh ndaj kufizimit të vëllimit të prodhimtarisë kanë: konsumi i pamjaftueshëm i huaj me 20 për qind, mungesa e fuqisë së kualifikuar të punës me 19, 2 për qind, konsumi i pamjaftueshëm vendor me 17,9 për qind dhe mjedisi i pacaktuar ekonomik me 12,4 për qind.