Situata dramatike me zjarret në vend ka bërë që ministri i Brendshëm Dritan Demiraj të nxitojë drejt Presidencës dhe t’ia paraqesë situatën me detaje, kreut të shtetit, Ilir Metës.

Jo më larg se dje, ministri i Brendshëm inkurajoi të gjitha strukturat shtetërore në vend përfshirë edhe qytetarët, që të angazhoheshin për shuarjen e zjarreve të shkaktuara nga i nxehti për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe pasurinë kombëtare. Por po ashtu, ai paralajmëroi zjarrvënësit e qëllimshëm se do të dënoheshin ashpër, pasi me aktet e tyre po cenonin edhe sigurinë e vendit.

“I nxehti ka bërë që në vendin tonë për tashmë dy muaj të ketë shumë zjarre, – shkroi Demiraj dje në Fb. –  Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, zjarrfikësit, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, bashkitë, prefekturat, po punojnë natë e ditë për të vendosur situatën nën kontroll. Inkurajoj të gjitha këto struktura, që po luftojnë me zjarret në çdo cep të territorit për të shpëtuar njerëzit dhe pasurinë kombëtare.

Por Demiraj shtoi edhe paralajmërimin: “Zjarrvënia e qëllimshme rrezikon sigurinë kombëtare dhe përgjegjësit do të kapen e dënohen ashpërsisht.”