A do e kenë kthyer populistët dhe ekstremistët BE-në habitatin e tyre?  

Nga Rikela Fusha

Bashkimi Europian, një mekanizëm koordinues i politikave multidimensionale, është padyshim instrumenti rregullator i paqes dhe strategjive që çdo shtet europian ka si target në ekzistencën e tij. Duke qenë influencues global, themeli i të cilit konsiston në respektimin e demokracisë dhe zhvillimin progresiv të prosperitetit, misioni i tij shkon përtej kufijve gjeografikë apo barrierave institucionale. Në fakt, Bashkimi Europian ndërvepron në arenën ndërkombëtare për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar konfliktet apo skenaret e ndonjë lufte të mundshme.

Ai ndërmerr nisma dhe asiston gjithashtu edhe në shtetet që nuk janë pjesë legjitime e tij, ose që aspirojnë të jenë pjesë e familjes europiane, duke u dhënë shanse të barabarta për t’u zhvilluar dhe përfshirë në prioritetet e tij.

Që prej krijimit të tij në vitin 1950, Bashkimi Europian ka evoluar me kohën në një tërësi aspektesh. Nuk mund të hulumtojmë rreth së ardhmes, duke mos i vënë theksin atyre sfidave që ky sistem bashkëpunimi i shteteve europiane ka kaluar ndër dekada. Krijimi i një monedhe të përbashkët (Euro), duke unifikuar tregun dhe mundësitë e konkurrencës, aksesi i çdo qytetari europian drejt një lëvizjeje apo zhvendosjeje të lirë në shtetet e Bashkimit Europian, krijimi i programeve apo paketave të ndihmave humanitare për të reduktuar pabarazitë ekonomike-sociale  me të cilat çdo shoqëri natyrshëm përballet, janë disa faktorë që tregojnë përgjegjshmërinë e BE-së kundrejt zhvillimit kontinental.

Duke u nisur nga reflektimet e Makiavelit rreth asaj që ai e percepton si natyra e shoqërisë, shohim dinamikën sociale, ndryshime të vazhdueshme në strukturën e popullsisë , evoluim të nevojave, pritshmërive dhe përcaktimeve të vlerave individuale dhe kolektive. Janë pikërisht këto koncepte metafizike, të cilat nuk mund të arkitekturohen në dogma politike, përkundrazi ato duhet të pasqyrohen në ndërgjegjen europiane si strategji të së ardhmes. Migrimi, terrorizmi, situata ekonomike, financat publike, papunësia, inflacioni, influenca e BE-së në arenën globale, ndryshimet klimaterike, janë disa prej determinantëve kritikë ku fokusi i reformave synon gjerësisht të përqëndrohet.

Teksa Bashkimi Europian është duke u ekspozuar kundrejt këtyre ndryshimeve koherente, ndihet dukshëm edhe karakteri kërcënues i persistencës populiste dhe synimet radikale- ekstremiste që i janë gërshetuar politikave të vendimmarrjes së këtij institucioni. Më shumë se thjesht parti apo grupime politike ekstremiste, këto këndvështrime kontadiktore duhen parë si doktrina që gjurmojnë vëmendjen dhe përkrahjen e çdo klase sociale, veçanërisht të shtresës së mesme për t’i deiluzionuar bindjet e popullsisë rreth vendimmarrjes dhe përkrahjes së platformave politike të duhura.

Ky antagonizëm  ideologjik, shpaloset si një protokoll i paprecedentë në shoqëri, duke i njehsuar asaj të vërtetat e mohuara (sipas tyre), duke bindur masën për vlerat elitare të populistëve dhe duke goditur partitë ekzistente dhe politikat e tyre. A kanë ekzistuar më parë këto rryma kontroverse ?                                                                                                                                                Demokracia dhe populizmi kanë korrelacion ndërmjet tyre që në gjenezën e vetëdijes së sistemeve liberale, por impulset e këtyre revolucioneve ekstremiste janë bërë më të ndjeshme dhe shqetësuese kohët e fundit. Duke u bazuar në vëzhgimet studimore të ndërmarra nga grupi i ekspertëve “Spinelli”, BE-ja nisi të konsiderojë seriozisht impaktin e populizmit në rastet evidente kur partitë ekstremiste po dominonin në suksesin elektoral europian, kur partitë kryesore-historike europiane po humbisnin dukshëm përkrahjen e popullsisë, kur elasticiteti ‘demoniak’ i populizmit u pa në të dy skajet politike ( boshti i majtë dhe i djathtë ). Faktorë të tjerë që i mundësuan populizmit një shtrirje madhore në vizionin europian ishin krizat ekonomike dhe sociale, të cilat krijuan një hapësirë të mirëfilltë të populizmit përkundrejt pasigurisë, identitetit të dyshimtë, dhe zhgënjimit masiv të individëve.

Aktualisht, është evidentuar rreziku potencial që populizmi dhe ekstremizmi mbartin për vijimësinë e bashkëjetesës së sigurt dhe paqes globale. Ky fakt, ka ndërgjegjësuar të gjithë shtetet për të treguar vigjilencë në ekspozimin e popullsisë së tyre drejt rrymave radikale-ekstremiste. Bashkimi Europian e ka vlerësuar përmes ekspertizave të shumta kërkimore-shkencore retoriken anti-globaliste, anti-kapitaliste dhe anti-europiane që predikojnë këto kompleksitete ideologjike.

Prirja populiste,si një kulturë politike, konceptohet edhe në trilemën politike të botës ekonomike, koncept ky i ideuar nga ekonomisti Dani Rodrick. Duke qenë se elementet e kësaj trileme janë: sovrantiteti kombëtar, hiper-globalizimi dhe politikat demokratike, duket qartë se aktiviteti i ndërhyrjeve ekstremiste është i gjerë dhe po ashtu dhe masat e ndërmarra nga BE-ja  duhet të jene te paramenduara dhe koherente.

Duke u nisur nga këto shqyrtime, mund të hipotetizojmë, se pavarësisht luhatjeve apo tranzicioneve që rrymat kontroverse mund të  sjellin në procesin e integrimit europian, ato nuk do jenë masivisht dominante në ideologjinë tradicionale të Bashkimit Europian. Duke qenë dëshmitare të rezistencës ndër kohë të familjes europiane ndaj sfidave madhore, e ardhmja e Bashkimit Europian priret të jetë brenda unitetit të shteteve dhe duke ushqyer frymën e përbashkët për paqe, progres dhe sovranitet. Demokracia ka udhëhequr dhe do të dominojë çdo platformë të suksesshme politike, bazat e së cilës do të jenë indikatorë të perspektivës së përbashkët europiane kundrejt sfidave të së ardhmes.

Referencat :

White paper on the future of Europe- https://europa.eu/european-union/sites/europaeu/files/whitepaper_en.pdf