Skuadra e Shkëndijës nesër me linjë çarter do të niset për në Milano, ku të enjten do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të fazës “play-off” të Liga Evropa, përballë ekipit të Milanos.

Saktësisht në ora 13:00 do të bëhet fluturimi i tyre, ndërsa një ditë më pas “kuqezinjtë” nga Tetova do të kenë stërvitjen zyrtare, ku paraprakisht në konferencë për shtyp do të dalin trajneri Qatip Osmani, së bashku edhe me kapitenin Ferhan Hasani.

Sigurisht se atmosfera tek ekipi jonë është pozitive sidomos mbas fitores së shënuar në kuadër të kampionatit vendor përballë Vardarit, por në taborin e tetovarëve janë të vetëdijshëm për fuqinë që posedon gjiganti Italian, por shprehen optimist, se do të tregojnë lojë të mirë.

Bashkë me ekipin do të udhëtojnë edhe një numër i caktuar gazetarësh nga vendi ynë, të cilët do të kenë mundësinë që për së afërmi të raportojnë për këtë ndeshje historike, jo vetëm për Shkëndijën, por për të gjithë shqiptarët ane mbanë Botës.

Ndeshja Milan – Shkëndija zhvillohet të enjten në “San Siro” me fillim në ora 20:45.