Shkencëtarët kanë krijuar hibridin e parë të suksesshëm human-kafshë, ose atë që njihet si kimera, në kushte laboratorike.

E udhëhequr nga Salk Institute, ekipi ndërkombëtar i kërkuesve e bëri të ditur arritjen përmes gazetës shkencore Cell.

Ekipi pati sukses në krijimin e një kimere, duke injektuar qeliza njeriu në emrione derri dhe duke i lënë të rriten bashkë. Ndonëse organet e derrit duan më pak kohë se ato të njeriut për t’u zhvilluar, ato kanë shumë ngjashmëri me njëra-tjetrën.

Juan Carlos Izpisua Belmonte, profesor në laboratorin Gene Expression në  Salk Institute, deklaroi për National Geographic se koncepti i kimerës njeri-derr dukej mjaft i thjeshtë. Megjithatë, u deshën katër vjet eksperimente nga më tepër se 40 bashkëpunëtorë për të gjetur formulën e duhur.

Një pikë kthese e rëndësishme ishte gjetja e kohës për prezantimin e qelizave humane në embrionin e derrit. Për të mos vrarë embrionin, duhej gjetur koha e duhur.

“Provuam tre tipe të ndryshëm qelizash njerëzore, të injektuara në tri kohë të ndryshme [të procesit të zhvillimit]”, tha autori drejtues i studimit Jun Wu për National Geographic.

Kur ekipi arriti më në fund të injektonte qelizat njerëzore të zhvilluara siç duhet, embrionet ia arritën të jetonin. Embrionet u futën në dosa të rritura për një kohë midis tri e katër javëve, para se t’i hiqnin për t’i analizuar.

Në fund, ekipi krijoi me sukses 186 embrione kimerikë dhe, siç thotë Wu, “vlerësuam se secili kishte rreth 100 mijë qeliza njerëzore”.

Shkencëtarët shpresojnë se ky sukses do të ndihmojë për zgjidhjen e krizës së donacioneve për organet njerëzore. Çdo ditë në SHBA vdesin 22 njerëz që janë në listën e pritjes për transplan organesh, ndërkohë që listës i shtohet një person çdo dhjetë minuta.

Meqënëse politikëbërësit, kryesisht nën ndikimin e konservatorizmit fetar, e kanë ndaluar investimin e fondeve publike në kërkime të tilla, për financimin e këtij eksperimenti janë përdorur donacione private.