Presidenti Donald Trump ka mbërritur në Corpus Christi të Teksasit dhe po informohet për situatën e përmbytjeve që kanë përfshirë pjesë të këtij shteti dhe të Luizianës fqinje.

Presidenti po inspekton nga afër punën e qeverisë për të ndihmuar banorët që përballen me shkatërrimet e mëdha.

Zyrtarët e agjencisë federale të emergjencave thanë se puna për të kapërcyer pasojat e stuhisë do të jetë një përpjekje afatgjatë.

Është hera e parë që zoti Trump vihet në provë nga një fatkeqësi e madhe natyrore në fillimet e administratës së tij.

Ai po takohet me zyrtarë të Teksasit në qendrën e operacioneve të ndihmës në Austin, i shoqëruar nga zonja e Parë, Melania dhe zyrtarë të tjerë.

Kongresmeni i Teksasit Blake Farenthold tha se kushtet në Houston nuk janë ende të përshtatshme që presidenti të shkojë atje, por është me rëndësi që ai të shohë me sytë e tij shkatërrimet.

Një zëdhënëse tha se Presidenti Trump synon të tregohet shumë i kujdesshëm që aktivitetet e tij të mos pengojnë përpjekjet e ndihmave në Teksas.