Shkarkimi i prokurorit publik shtetëror Marko Zvërlevski e shënon fillimin e reformave në gjyqësi, të cilat do të sjellin drejtësi dhe barazi për të gjithë. Ky është hapi i parë drejt krijimit të sistemit të pavarur dhe profesional gjyqësor, përkundër drejtësisë selektive dhe proceseve të montuara gjyqësore që i ka instaluar udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së, deklaroi sot në Kuvendin e RM-së deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov.

“Maqedonia në zgjedhjet e fundit parlamentare ka votuar për ndryshime, ka votuar për drejtësi, ka votuar për barazi, ka votuar për sistem në të cilin do të jemi të barabartë pata ligjit”, tha Shilegov pas seancës së sotme kuvendore ku u votua shkarkimi i Zvërlevskit.

Sipas tij, reformat në gjyqësi, që janë paraparë me Planin Aksional 3-6-9 do të sigurojnë sistem gjyqësor i cili do të jetë i barabartë për të gjithë.