Një autobus pasagjerësh është përfshirë nga flakët masive të zjarrit, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së sotme në Rrugën e Kombit në afërsi të kryqëzimit të Fushë-Milotit. Autobusi me 50 pasagjere po lëvizte nga Prizreni në drejtim të Shkodrës dhe flaket janë shfaqur teksa mjeti ishte në lëvizje.

Ka qenë njëri nga pasagjerët i cili ka konstatuar tymin dhe i ka kërkuar drejtuesit të autobusit që të ndaloje.

Në ato momente të gjithë pasagjeret kanë dalë nga mjeti pa marrë dëmtime. Siç shihet dhe nga pamjet flaket e zjarret janë përhapur me shpejtësi duke shkaktuar frike dhe panik te udhëtarët.

Për shuarjen e zjarrit ndërhynë zjarrfikësit dhe brenda pak minutash situata u vu nën kontroll. Nga të dhënat paraprake dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një defekt në motorin e autobusit.

Për shkak të zjarrit qarkullimi në rrugen e kombit u bllokua për më shumë se 30 minuta, ndërsa u desht ndërhyrja e policisë për normalizimin e lëvizjes së automjeteve.

Pasagjeret të cilët udhëtonin në autobusin që u përfshi nga zjarri u transportuan me një tjetër për në destinacionin ku ishin nisur.