Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, ka reaguar për qeverinë e re të prezantuar pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama. Mjaft i prerë në qëndrimin e tij, ai bën me dije se në qeverinë e Ramës, nuk do të ketë asgjë të re, pasi çdo ministër do të bëjë atë që i thotë kryeministri. Në analizën e tij, Shehu thotë se e shqetëson fakti se sapo e shpalli qeverinë, Rama tregoi se nuk di çfarë të bëjë me të.

“Sa herë që Ramës nuk do ti ecin punët, do të shkarkojë një ministër. Ndonëse u prezantua me pompozitet dhe me ndryshime të thella, të gjithë e dimë se në qeverinë e Ramës, nuk do të ketë asgjë të re. Kushdo që të jetë ministër është njëlloj, sepse do të bëjë atë që i thotë dhe që do Rama.

Dikush mund të mendojë se Rama nuk do të jetë më ai i pari, mbasi po përpiqet të na bindë se është mbushur me mend dhe “nuk do të bëjë më siç ka bërë”. Por këtë e besojnë vetëm ata që duan, sepse në moshën e tij, veset që ja kemi parë për 17 vite, vetëm mund thellohen.

Ajo që më shqetëson mua është se sapo e shpalli qeverinë, Rama tregoi se nuk di çfarë të bëjë me të. U mbyll në Llogara dhe njerëzit prisnin “tymin e bardhë”. Dhe pas dy ditësh e vetmja e re ishte emërimi i PD-së si opozita e vetme e vendit dhe njoftimi se “do të kemi administratë të vogël, por jo shumë të vogël”.

Kjo pritej, sepse ndryshimet nuk i bëri mbi ndonjë studim apo për të zbatuar filozofinë e një qeverisje të vogël, por vetëm për mendësi dhe interesa politike. Ai gjeti një qeveri të vogël në 2013 dhe e rriti për interesat e tij dhe inatin e Berishës, ndërsa tani po bën sikur e zvogëlon për interesin e tij dhe për inatin e Metës.

Dy gjëra të reja të kësaj qeverie do të jenë:
E para, në të nuk do të ketë emra të ministrive që deri tani i milte LSI-ja dhe “fara” e LSI-së do të zhduket nga administrata “për arsye ristrukturimi”.

E dyta, ministrat të mbajnë mandatin e deputetit, meqenëse nuk do ketë fajtorë të jashtëm për dështimet dhe sa herë që Ramës nuk do ti ecë puna, do të shkarkojë nga një ministër”, përfundon ai.