Driton Selmanaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se ende ekziston një marrëveshje e vlefshme parazgjedhore ndërmjet LD’së, AKR’së dhe Alternativës, por tashmë është krijuar një situatë e re.

“Tash është një rrethanë e re, është një ngjarje e re që ka ndodhur brenda AKR’së. Në fakt, mbetet të shihet sesi do të materializohet në ditët në vijim. Por, përderisa nuk ka asgjë konkrete, ne akoma vazhdojmë t’i besojmë një marrëveshjeje, të cilën e kemi ndërtuar dhe uroj që ajo të respektohet nga të gjitha palët, deri në një situatë tjetër”, tha Selmanaj për Radion Evropa e Lirë.

Selmanaj thotë se kriza politike është shqetësim i të gjitha subjekteve politike.

“Për të dalë nga kjo krizë politike, të shkaktuar nga koalicioni i PDK’së, ne duhet të kemi një pajtim që do të dalë si rezultat i bisedimeve të brendshme që mund t’i kemi ne si koalicion, përfshirë këtu edhe Lëvizjen Vetëvendosje, në mënyrë që vendi të marrë drejtim tjetër, të kemi institucione dhe më pas të fillojmë me kryerjen e obligimeve kushtetuese”, tha ai.