Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Jim Mattis, ka thënë sot gjatë një vizite në Ukrainë se Uashingtoni do të vazhdojë t’i bëjë presion Rusisë për, siç ka thënë, sjelljen e saj agresive, por nuk premtoi se do t’i ofrojë Kievit armë vdekjeprurëse.

Mattis ka thënë se Rusia nuk i është përmbajtur marrëveshjes së Minskut për armëpushim, që ka për qëllim t’i japë fund dhunës së separatistëve në lindje të Ukrainës, transmeton Express.

“Përkundër pohimeve nga ana e Rusisë, ne e dimë se ata po kërkojnë t’i ndryshojnë kufijtë ndërkombëtarë me forcë, duke i minuar shtetet sovrane dhe të lira të Evropës,” ka thënë Mattis para gazetarëve.