Gjatë ditës së nesërme në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca konstituive, përmes së cilës do të verifikohen mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit. Ndërkohë, zyrtarë të Kuvendit thonë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet sa i përket seancës.

Kështu ka deklaruar për Gazetën Express, Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Senaca do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, që vjen nga radhët e VV’së, pasuar nga deputetja më e re e Kuvendit nga radhët e LDK’së, Teuta Rugova.

“Ne tashmë i kemi përfunduar të gjitha punët sa i përket përgatitjeve për seancën e nesërme. Gjithçka është gati. Seanca do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër që është Adem Mikullovci, pasuar nga Teutra Rugova”, ka thënë Krasniqi të mërkurën për Express.

Ndërkohë që gjatë ditës së nesërme pritet të bëhet vetëm emërimi i kryeparlamentarit. I nominuari është Kadri Veseli, kandidat nga koalicioni PAN. Seanca do të fillojë në orën 10:00. Pjesëmarrjen në seancë tashmë e kanë konfirmuar subjektet parlamentare.
E kreu i Qeverisë raportohet të votohet një ditë pas, pra ditën e premte.

Këto do të jenë pikat e rendit të ditës së seancës konstiuive që mbahet nesër:

Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
Dhënia e betimit të deputetëve,
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Sidoqoftë, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, fillon edhe faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë së re. Duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, edhe formimi i Qeverisë i takon koalicionit PAN, por kërkohet që ky koalicion të sigurojë minimumin prej 61 votave.