E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe forcimi i marrëdhënieve mes fqinjëve ka qenë kryefjala e zv.presidentit amerikan Donald Trump në samitin e Kartës së Adriatikut në Malin e Zi.

Gjatë fjalimit të tij para udhëheqësve të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë dhe Sllovenisë, Mike Pence tha se Rusia ka tentuar të destabilizojë Ballkanin, por sipas tij SHBA-të janë në mbështetje të rajonit.

“Përgëzoj popullin malazez që u anëtarësua me sukses në NATO, e cila i ka dyert e hapura për vendet që synojnë paqe e liri në vendet e tyre. SHBA ju mbështet, sepse çdo rrugë do të forcojë Europën përmes Kartës së Adriatikut. Me presidentin Trump, perspektiva është siguria e Amerikës në fillim, por kjo nuk do të thotë se Amerika është e vetme. Jemi më të fortë së bashku, ndaj s’duhet të ndahemi”, – tha Pence.

Ai tha se do të punohet në të ardhmen për forcimin e marrëdhënieve mes fqinjëve, sidomos në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mezi presim që edhe Kosova t’i kalojë këto pengesa në të ardhmen. 8 vjet më parë Shqipëria e Kroacia u anëtarësuan në NATO, duke iu bashkuar Sllovenisë dhe dy muaj më parë Mali i Zi u bashkua në NATO. Do punojmë me Serbinë dhe Kosovën që të forcojmë marrëdhëniet”.

Pence u shpreh vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur një proces të drejtë dhe të ndershëm në zgjedhje, ku ka mbizotëruar vullneti i popullit.

“Çdo shtet në Ballkanin Perëndimor ka pasur zgjedhje të lira e të ndershme, me rezultatin që ka treguar vullnetin e popullit, duke treguar përmbushjen e detyrave të lëna nga presidenti Trump. Ky është një progres për Ballkanin. Lini mënjanë zemërimet e punoni bashkë për të ardhmen e popullit tuaj, luftoni korrupsionin, ndërtoni qeveri të besueshme. Ballkani Perëndimor ka civilizime të ndryshme, por ndiqni të ardhmen evropiane, sepse SHBA ju mbështet”.

Ai u ndal edhe te presionet e Rusisë për të trazuar rajonin dhe për të penguar anëtarësimin e vendeve të tjera në NATO.

“Ju keni nevojë për të reduktuar varësinë tuaj te ushtria ruse. Rusia ka punuar për të destabilizuar demokracinë në Ballkan dhe ta ndajë nga Europa. Rusia u përpoq të vriste edhe kryeministrin malazez. Trump ia ka bërë të qartë Rusisë që t’i japë fund përpjekjeve dhe kërcënimeve në këtë rajon. Ballkani të drejtë të vendosë në rrugën e tij dhe kjo është rruga e vetme”, – theksoi Mike Pence.