Ministri rus i Jashtëm, Sergei Lavrov, u kërkoi shteteve arabe të Gjirit të përmirësojnë lidhjet e tyre me Katarin gjatë vizitës së tij sot në vend.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahreini dhe Egjipti kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike dhe lidhjet e transportit me Katarin, më 5 qershor të dyshuar për mbështetjen e grupeve terroriste.

“Gjatë një fjalimi në Doha, Lavrov tha se çështja mund të zgjidhet nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, i cili lidh shumicën e shteteve të Gjirit”, sipas raporteve të medias ruse.

Gjithashtu, gjatë kësaj jave Lavrov ka vizituar Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajtin lidhur me bisedimet e nivelit të lartë që kanë përfshirë përpjekjet për të zbutur mosmarrëveshjet.

Kuvajti ka luajtur një rol kryesor të ndërmjetësuesit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson dhe ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel kanë zhvilluar disa vizita në Katar për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës diplomatike, përcjell Atsh.

“Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdel-Rahman vlerësoi përpjekjet e Rusisë dhe tha se vendi i tij ishte në favor të gjetjes së një zgjidhjeje”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Muajin e ardhshëm, Lavrov pritet të udhëtojë për në Arabinë Saudite.