Në Rusi nuk është pritur mirë vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar për 8 ditë lëshimin e vizave të jo-emigrimit.

Vendimi i cili u njoftua dje nga Ambasada Amerikane në Rusi, përfshin periudhën nga 23 gushti deri në 1 shtator dhe vjen si përgjigje ndaj vendimit të Moskës zyrtare për të shkurtuar personelin diplomatik amerikan atje.

Në Rusi po reagohet me zemërim ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar lëshimin e të gjitha vizave të jo-emigrimit, duke filluar të mërkurën e kësaj jave e deri më 1 shtator.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane thuhet se masa është pasojë e “numrit të imponuar nga qeveria ruse” në stafin e ambasadës.

“Nuk është e drejtë. Pse duhet të ketë lidhje kjo me njerëzit e zakonshëm? Le të shpresojmë se do të rishqyrtohet“, thotë Tatyana Kostyuchenko, punonjëse e një agjencie udhëtimesh.

Në njoftim thuhet se edhe konsullatat e Shën Petersburgut, Vladivostokut dhe Yekaterinburgut do të mbeten të ngrira, për sa kohë që numri i personelit që punon në to do të jetë i reduktuar.

Në muajin korrik Rusia iu kundërpërgjigj sanksioneve amerikane duke dëbuar stafin e Ambasadës Amerikane nga disa objekte diplomatike dhe duke kërkuar që numri i tyre të reduktohet nga 755 në 455 deri në fund të gushtit.

Ndërkohë sipas disa zyrtarëve amerikanë, pritet që administrata pas 1 shtatorit të shpallë planin e saj të kundërpërgjigjes ndaj Moskës./VOA/