Nga Arben LLALLA

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias ishte për vizitë në Shkup për tu takuar me kolegun e tij ministrin e jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe si gjithnjë ministri grek, Kotzias pas takimit ka folur me gjuhën e ëmbël ironike sikur Greqia është vendi superior i Ballkanit, ku ajo i dikton politikat e vendeve të tjera të Ballkanit ku ndër të tjera tha: ”Jemi takuar për një të ardhme të përbashkët mes dy shteteve. Jam shumë i lumtur që është realizuar ky takim. Do të bashkëpunojmë për gazsjellësin, për arsimin, policinë dhe diplomacinë tonë. Së bashku me Bullgarinë dhe Shqipërinë do të ulemi për të diskutuar për projekte të përbashkëta mes Maqedonisë dhe Greqisë, së bashku me ta. Si ministër i Punëve të Jashtëm jam i kënaqur për këtë takim pas disa vjetëve pa ndonjë takim. Deri tani nuk kemi pasur asnjë tentim për marrëdhënie fqinjësie.”

Më tej Kotzias e quajti Maqedoninë me termin: “vendi ynë i dashur verior”, që në Shkup është kuptuar si një sinjal për zgjidhjen e kontestit duke e ndryshuar emrin nga “Republika e Maqedonisë”, në “Republika e Maqedonisë Veriore”, por e vërteta është se Greqia dhe Maqedonia nuk janë ende të gatshme të bëjnë hapa për arritjen e një marrëveshje ku Maqedonia do bënte ndryshimin e emrit Kushtetues dhe Greqia do të jepte votën e saj pozitive për anëtarësimin në NATO dhe BE.

Maqedonia dhe Greqia kanë shumë mosmarrëveshje më të thella se çështja e emrit. Që të dy këto vende ndikohen në politikat e tyre nga Rusia e cila gëzon një simpati të admirueshme si në Greqi ashtu edhe Maqedoni në krahasim me SHBA dhe BE.

Greqia pretendon se Maqedoni nuk njeh minoriteti grekë që pretendohet rreth 100 mijë. Prej disa vitesh funksionojnë gjysmë legale mësimi i gjuhës greke nga ata qytetar të Rep. së Maqedonisë që pretendojnë se kanë origjinë greke. Ndërsa Maqedonia pretendon se ka rreth 400 mijë qytetar të Greqisë me kombësi sllavo-maqedonase të cilët nuk gëzojnë asnjë të drejtë. Në Greqi ka disa fshatra të cilat popullsia flet në familje gjuhën sllavo-maqedonase, këta njerëz kanë shoqatat e tyre, gazetën, kishën të cilat funksionojnë gjysmë legale sepse nuk njihen nga shteti grek.

Një problem tjetër midis dy vendeve janë edhe mos rikthimi në shtëpitë e tyre të partizanëve grek të luftës qytetare greke 1945-1949 të cilëve u hoq edhe shtetësia greke, ju sekuestrua pasuritë dhe Greqia si vend ortodoksë nuk njeh Kishën Autoqefale Maqedonase, pra edhe ky është një problem i thellë midis dy vendeve ku kleri ortodoksë ka ndikim autotirativ në vendimmarrjet politike.

Ajo që është edhe më tragjike për shqiptarët e Maqedonisë është se prej kaq vitesh ndërmjetësuesit e OKB dhe përfaqësuesit e Maqedonisë dhe të Greqisë kanë jashtë loje përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë duke injoruar atë pjesë të madhe të komunitetit që zyrtarisht përbën 25% të popullsisë së Maqedonisë dhe që më 2001 me armët e tyre treguan se luajnë një rol të rëndësishëm në këtë Republikë të brishtë. Dhe kuptohet lënia anash e shqiptarëve në çështje të rëndësishme që lidhen dhe me ta, nuk do të ketë të ardhme të sigurt. Diplomacia Ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se shqiptarët janë faktorë paqeje dhe destabilizimi në Ballkan. Kjo për faktin se në shumë shtete të Ballkanit jetojnë mijëra qytetar të kombësisë shqiptare.