Rreth 70,000 njerëz në Frankfurt do të duhet të lënë shtëpitë e tyre këtë fundjavë në një nga evakuimet më të mëdha të tilla në Gjermaninë e pasluftës, njoftoi policia të mërkurën.

Kjo pasi që, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, në një hapësirë të tillë është zbuluar një bombë e pashpërthyer e Luftës së Dytë Botërore, me emrin “blockbuster”.

Operacioni të dielën do të lejojë shpërbërjen e sigurt të bombës britanike prej 1,800 kg, të cilën mediat gjermane thanë se u quajt ‘Wohnblockknacker’ (blockbuster), për shkak të aftësisë për të hedhur në erë rrugët ose ndërtesat.

Bomba e pashpërthyer thuhet se u zbulua të martën gjatë disa punimeve ndërtimore.

Për momentin, siç shtohet më tej, zyrtarët policorë janë duke ruajtur vendin dhe nuk vlerësohet se mund të ketë ndonjë rrezik.
Policia tha se bomba në fjalë ishte një HC 4000, një bombë e ashtuquajtur e kapaciteteve të larta të përdorura në sulmet ajrore nga forcat britanike.