Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Teuta Rugova, e nisi mandatin e saj të dytë me një rrenë. Javë më parë ajo kishte deklaruar se nuk do të veprojë asnjëherë jashtë qëndrimit politik të LDK-së. Sot e bëri këtë gjë.

Në seancën e sotme, vota e Teuta Rugovës u dha pikërisht kundër qëndrimit të LDK-së. Ajo mbështeti me votën e saj propozimin e koalicionit PAN për t’i dhënë këtij koalicioni edhe dy orë shtesë për konsultime rreth kandidaturës së tyre për kryetar të Kuvendit.

Në ditën kur kandidati i PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj kishte shkuar në familjen e saj për t’ia kërkuar votën, ajo doli me një deklaratë publike me të cilën e konfirmonte se do t’i bindej qëndrimit të LDK-së për këtë kandidaturë.

“Mendoj se deklarata ime e mëparshme është keqkuptuar nga disa në raport me qëndrimin tim sepse shumë thirrje e mesazhe më kanë ardhur me pyetje rreth votës time. Unë jam deputete e LDK-së dhe as tash nuk do të veproj as edhe kurrë më parë nuk kam vepruar jashtë qëndrimit të LDK-së”, kishte thënë ajo./kallxo.com