Ish kandidati republikan për president Mitt Romney kritikoi të premten presidentin Donald Trump, për mënyrën se si e trajtoi ai protestën e dhunshme të supremacistëve të bardhë në qytetin e Charlotsvill të Virxhinias, që la pas tre të vdekur dhe 19 të plagosur.

Komentet e Romney ishin në përgjigje të komenteve të presidentit Trump të martën, se “të dyja palët” ishin fajtore për dhunën që përfshiu protestën.

Në një postim në Facebook, Romney i bëri thirrje presidentit Trump të ndryshojë qasjen e tij, ose siç shkruante ai, do të përballet me mundësinë e trazirave të mëtejshme kombëtare.

“E bëri ose jo me qëllim, ajo që ai tha gëzoi racistët, i bëri pakicat të qajnë dhe pjesën më të madhe të Amerikës të trishtohet”, – tha Romney.

Në postimin e tij në facebook, ai paralajmëroi gjithashtu se nëse zoti Trump nuk nd[rmerr “veprime ekstreme korrigjimi”, mund të ketë “një shthurje të strukturës kombëtare amerikane”.

Ish guvernatori i Masaçusetsit tha se Trump duhet të pranojë se gaboi, kur barazoi veprimet, kundër protestuesve me ato të supremacistëve të bardhë që organizuan tubimin.

“Nuk ka asnjë krahasim të mundshëm, apo ekuivalencë morale mes nazistëve, të cilët vranë brutalisht miliona hebrej dhe qindra mijëra amerikanëve dhanë jetën për t’i mposhtur, me kundër protestuesit që ishin të zemëruar sepse shihnin njerëz pa mend të valëvisnin flamuj nazistë, të mbanin shirita nazistë në krahë, apo të nderonin si naziste”, – shkruante ai.

Komentet e Romney janë treguesi më i fundit i një ndarjeje në rritje mes presidentit Trump dhe forcës së tij politike, Partisë Republikane.