Selia e BFI në RM është vizituar nga Kryetari i Akademisë Shqiptaro Amerikane e Shkencave, Prof. dr. Skënder Kodra, nga Fatmire Xheka, eksperte për çëshjen e sigurisë së lartë në Shqipri, dhe Tim Shkupi, njëri nga drejtuesit e Diasporës Shqiptare për Maqedoninë,  për të cilët, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, organizoi një pritje të ngrohtë vëllazërore.

Gjatë këtij takimi mysafirët e nderuar patën rastin të informohen mbi organizimin dhe zhvillimin e jetës fetare islame në vend, si dhe për një sërë problemesh që e tangojnë Institucionin si dhe myslimanët e vendit. Veç kësaj, efendi Rexhepi ka njohtuasr edhe mbi aktivitetet e shumta që ky Institucion me të gjitha organet e veta i ndërmerr në luftë kundër dukurive të ndryshme të shëmtuara që shfaqen nën petkun fetar si dhe mbi përpjekjet vetëmohuese në aspekt të ruajtjes së islamit tradicional të myslimanëve autokton, i cili garanton harmoni, mirëqenie, bashkëjetesë dhe paqe për të gjithë. Natyrisht, janë shpalosur edhe të gjitha kontributet dhe angazhimet e BFI-së në ruajtjen dhe kultivimin edhe të vlerave kombëtare të popullit shqiptar si shumicë absolute në komunitetin e përgjithshëm mysliman të vendit.

Ndërkaq Kryetari i Akademisë, Prof. dr. Skënder Kodra nuk e ka fshehur kënaqësinë që është pritur nga, siç e ka vlerësuar H. Sulejman ef. Rerxhepin, njëri prej zërave më kumbus në Evropë dhe në Amerikë për sa i përket çështjes kombëtare dhe fetare të shqiptarëve të Maqedonisë. Në këtë vazhdë, Kryetari Kodra, i ka garantuar mbështetje dhe përkrahje jo vetëm të Akademisë që e drejton ai, por edhe të mbarë Shqiptarëve të Amerikës si dhe të asociacioneve tyë ndryshme shqiptare në Prëndim. Prof. Dr. Kodra ka shfrytëzuar rastin që edhe një herë të apeloj për një bashkërenditje të veprimeve të të gjithë subjekteve shqiptare për të siguruar një perspektivë sa më të qartë dhe sa më të mirë për shqiptarët këtu dhe në rajon.

Në fund të takimit, pasi ka përshëndetur edhe udhëheqësit e diasporës shqiptare, Tim Shkupin dhe Mehmet Ahmetin, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, mysafirëve të respektuar u ka dhuruar kompletin prej gjashtë vëllimeve “Për fe dhe atdhe” si dhe tituj të tjerë të veprave autoriale.

Ndryshe, Prof. Dr. Skënder Kodra u lind në Istog të Kosovës. Më 1969 emigroi në Itali e pas një viti në SHBA. Më 1986 përfundon shkëlqyeshëm studimet e larta në Universitetin “Mercy College”, në degën e psikologjisë dhe pas një viti kreu studimet pasuniversitare në “Long Island University” dhe laureohet me titullin Master degry. Në vitin 1991 mbron doktoraturën me temën “Shkaqet që çojnë në skizofreni” dhe merr titullin më të lartë shkencor në SHBA PH.D. Më tej u specializua në një profil më të ngushtë në fushën e Psikologjisë Klinike. Veprimtaria e tij është e larmishme si profesor, psikolog e shkencëtar.

I brumosur me ndjenja të larta atdhedashurie dhe si intelektual i përgatitur në SHBA, Skënder Kodra ka dhënë një kontribut të çmuar dhe për popullin shqiptar. Në vitin 1995 ai themeloi Akademinë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve me qendër në Neë York dhe vazhdon të jetë aktiv si kryetar i kësaj Akademie. Me ndryshimet demokratike në Shqipëri, Prof.  Dr. Skënder Kodra vazhdoi të kontribuojë edhe në dheun amë. Ai punoi dy vjet në Tiranë si klinicist pranë Klinikës psikiatrike të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ku përgatiti dhe ligjëroi leksione të ndryshme.

Në verën e vitit të Luftës në Kosovë, Prof. Dr. Skënder Kodra shkoi në ndihmë të të dëbuarve kosovarë, në kampet e shumta në Shqipëri, si dhe në spitalin Ushtarak në Tiranë. Djali i tij Isai, ushtarak dhe i lindur në SHBA, u radhit në radhët e UÇK-së në Kosovë, ashtu si dhe shumë të tjerë nga të afërmit e familjes Kodra.

Personaliteti i Prof. Dr.  Skënder Kodra është i njohur në SHBA, në vende të ndryshme të Evropës dhe në të gjitha trojet shqiptare. Ai ka qenë këshilltar pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Shtetin e New Yorkut, është anëtar i Shoqatës së Doktorëve në Shtetin e New Yorkut, Anëtar i Shoqatës të sëmundjeve psikike “Sigmund Frojd” të Austrisë, nënkryetar i Akademisë së Intelektualëve Shqiptarë të Shkencës dhe Artit në Kosovë, anëtar i Shoqatës së Psikiatërve në Shqipëri, etj.

Figura poliedrike e Prof. Dr. Skënder Kodra, është kthyer në një simbol për komunitetin shqiptar në SHBA, Kosovë dhe Shqipëri, si një njeri me energji të pashtershme humane e patriotike.