Ministria e Brendshme është duke konfirmuar nëse identiteti “Vlladimir Vallerov” është përdorur si identitet për arratisje nga ish kryeshefi i Drejtorisë së pestë në DSK, Goran Grujevski. Ministria e Brendshme njëkohësisht është duke hetuar nëse identitetin në fjalë i akuzuari i PSP-së në rastet “Fortesa” dhe “Target” e ka përdorur pa dijeninë e Shërbimeve të MPB-së, brenda dhe jashtë vendit. Të kontaktuar nga Alsat, nga dikasteri i Brendshëm duke mos ndarë shumë detaje thonë se është duke u verifikuar gjithashtu nëse Vlladimir Vallerov është edhe një i punësuar në MPB ose jo.

Po punohet në identifikimin e personit, nëse i njëjti është i punësuar në MPB edhe në çfarë sektori. Gjithashtu po verifikohet edhe regjistrat e vendkalimeve kufitare nëse personi me identitetin e theksuar është larguar nga Maqedonia- bëjnë me dije nga ministria e Brendshme.

Vlladimir Vallerov dyshohet të jetë një pjesëtar i njësitit policor EBR. Burime të rezervuara pretendojnë se i njëjti është njeri i afërt me Goran Grujevskin, i cili ka qenë i punësuar në ARM, më pas në policinë kufitare dhe më vonë në EBR. Së fundit para se të kthehej përsëri në Njësitin për intervenim të shpejtë, ai ka punuar bashkë me Grujevskin në Drejtorinë e pestë në DSK.

Ditë më parë MPB konfirmoi për televizionin Alsat se i akuzuari i PSP-së Goran Grujevski posedon edhe identitete tjera, por që të njëjtit i janë caktuar nga Shërbimet e MPB-së për detyra të caktuara. MPB nuk konfirmon nëse Grujevskit, identiteti Vlladimir Vallerov i është dhënë nga Shërbimi vendas ose nga ndonjë shërbim tjetër i mundshëm.

MPB deri më tani ka hetuar dhjetëra lokacione për të cilat ka pasur indikacione se mund të fshihet i akuzuari i PSP-së Goran Grujevski. Ish shefi i Drejtorisë së pestë në DSK, bashkë me kolegun e tij Nikolla Boshkovski ndodhen në arrati për më tepër se një muaj, konkretisht që nga 18 korriku kur Gjykata e Apelit shqiptoi masën e paraburgimit për Grujevskin dhe Boshkovskin si të dyshuar në lëndët e Speciales “Target” dhe “Fortesa” për shkatërrimin e pajisjeve për përgjim./alsat-m