shtu siç është paralajmëruar, kryeministri Edi Rama do të prezantojë sot emrat e ministrave të rinj të kabinetit qeveritar ‘Rama 2’. Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste që do të mblidhet sot paradite, Rama do të bëjë publikë emrat e 12-13 ministrave të rinj. Sipas burimeve, emrat e ministrave të rinj kanë dalë nga një listë me 30 kandidatë për qeverinë e re, emra të cilët janë konsultuar me përfaqësues të SHBA dhe BE. Kryeministri Edi Rama ka shqyrtuar listën e 30 kandidatëve, dhe më pas emrat e përzgjedhur ia ka kaluar përfaqësuesve të SHBA dhe BE, për t’i bindur ata se qeverinë e re do ta përbëjnë individë të aftë dhe me integritet moral dhe profesional. Ndryshe nga herët e tjera, siç ka ndodhur rëndom në qeveritë e kaluara respektive, këtë herë kryeministri Edi Rama do të vendosë në krye të dikastereve, ekspertë të mirëfilltë të fushës. Pra, për shembull, një ekonomiste e aftë siç është zonja Mimi Kodheli, nuk do të mbulonte Ministrinë e Mbrojtjes, por ministrinë e fushës së saj. Dhe këtu e njëjta gjë edhe me ministritë e tjera. Kjo do të bëhet në funksion të rritjes së efiçencës dhe produktivitetit të punës së ministrave. Kryeministri Edi Rama synon që në mandatin e dytë qeverisës, të rrisë performancën e punës dhe të çojë përpara me sukses reformat dhe nismat e reja gjatë katër vjeçarit të ri. Me sa duket, kryeministri po përgatitet për mandatin e radhës qeverisës, duke e çuar në dështim total PD dhe LSI dy partitë e mëdha politike opozitare. Gjithashtu pritet që Rama të fusë në kabinetin e ri qeveritar, edhe emra jashtë politikës. Ata do të jenë ekspertë të fushave të caktuara dhe njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional, të papërfshirë në afera korruptive. Emrat e ministrave të rinj do të jenë emra të papërlyer dhe të padëgjuar më parë për afera korruptive.

Deputetët-ministra

Ministrat e rinj në kabinetin qeveritar ‘Rama 2’, ndryshe nga ministrat e kaluar, do të mbajnë mandatin e deputetit. Pra, të gjithë ata deputetë të zgjedhur, nëse do të emërohen ministra, do të mbajnë edhe mandatin e deputetit. Pra, këta ministra do të kenë të drejtë të votojnë ligjet dhe nismat në Kuvend, ashtu si deputetët. Kjo do të bëhet me qëllim që Rama të ketë sa më shumë numra në Kuvend për të votuar reformat e qeverisë së re. Edhe për faktin se PS do të qeverisë e vetme, pa koalicion, pasi PD dhe LSI ka gjasa të bashkëpunojnë fort me njëra-tjetrën, për t’ia rrëzuar ligjet qeverisë së re socialiste. Duke u ndalur te emrat e ministrave, ndryshe nga 2013-ta, kur Rama bëri publikë emrat e ministrave të tij një muaj para mbledhjes së Kuvendit të ri dhe nisi me ta të hartojë planet e ndërhyrjes së qeverisë në 300 ditët e para në dy takime, kësaj radhe ai do t’i bëjë publikë emrat e qeverisë së tij vetëm një javë para nisjes nga puna të Kuvendit të ri. Rama i ka lënë në ankth ministrat aktualë, pasi ai nuk ka bërë asnjë takim me ta për t’u thënë atyre nëse do të jenë ose jo pjesë e kabinetit të ri qeveritar. “Skuadra e re qeverisëse do të jetë gati vetëm në fillim të shtatorit dhe askush, përveç meje, s’ka pse humbet kohë për t’u marrë me këtë punë. Gjithçka zien e do të ziejë me siguri më tutje, në kazanët e katundit mediatik, është thjesht pjesë e llogjeve të atij katundi e asgjë më tepër”, ka thënë Rama në takimin e parë me deputetët e rinj, në fillim të korrikut.

Kështu pritet që Mimi Kodheli të lërë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të marrë kryesimin e Komisionit të Jashtëm të parlamentit, detyrë që sesionin e kaluar mbahej nga ish-deputetja socialiste, Arta Dade.

Një tjetër lëvizje është ajo e numrit 2 të qeverisë Niko Peleshi, të cilit do t’i besohet Ministria e Mbrojtjes. Bashkëpunëtorin e tij të ngushtë kryeministri Rama pritet ta zëvendësojë me një grua që do të mbajë postin e zëvendëskryeministres.

Dy ditë më parë Televizioni Klan zbuloi se ministrat që do të konfirmohen, janë Damian Gjiknuri Lindita Nikolla dhe Fatmir Xhafa.