Kur Koreja e Veriut lëshoi raketën mbi Japoni ditën e martë, ajo shkeli sovranitetin e vendit dhe sfidoi Kombet e Bashkuara. Dhe nëse Japonia nuk bën asgjë, thonë ekspertët, Pheniani ka gjasa që t’i çojë më tej ambiciet e tij.

Sipas ekspertëve, të cituar nga mediat amerikane, Koreja ka arritur në një pikë kyçe me testet e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe i ka mbetur vetëm perfeksionimi i trajektores. Dhe në këtë drejtim, pozita gjeografike e Japonisë është jetike.

Në testet e mëparshme raketat ndërkontinentale balistike kanë fluturuar thuajse vetëm vertikalisht dhe kanë rënë vetëm pak qindra milje tej, edhe pse duhet të përshkojnë mijëra milje.

Por tani vendit të izoluar komunist i duhet vetëm të zbulojë se si të drejtojë kokat e raketave kur ato fluturojnë drejt një objektivi të caktuar.

“Ata kanë një urgjencë teknike për të kryer testet. Ata duan të jenë në gjendje të kuptojnë dinamikën dhe se si raketa performon në një trajektore më normale”, ka deklaruar specialisti i raketave Mike Elleman për “Washington Post”.

Eksperti i Institutit Ndërkombëtar për Studimet Strategjike vlerëson se, duke parë nevojën e Koresë së Veriut për të kryer këto teste mbi Japoni, nëse qeveria në Tokio nuk jep përgjigjen e duhur, atëherë provat do të vazhdojnë.

“Në njëfarë mënyre është si testi i një balone. Nëse ne fluturojmë mbi Japoni çfarë ndodh? Nëse përgjigjja nuk është e fortë sa duhet, ata do të ndihen rehat dhe do të lëshojnë raketat “Hwasong-14” në një distancë të përshtatshme për të vlerësuar performancën e saj në një trajektore normale”, ka shtuar Elleman.