Në Shkup dje u luajt Superkupa e Europës mes Real Madridit dhe Manchester United, e cila përfundoi me fitoren e madrilenëve me rezultatin 2-1.

Golat për “Los Blancos” i shënuan Casemiro dhe Isco, ndërsa për anglezët shënoi përforcimi më i ri i tyre, Romelu Lukaku.

Kjo ishte një ndeshje që sipas Telegraf, Shkupin e mbajti në syrin e botës për 90 minuta.

Festa para sfidës e organizuar nga shteti i Maqedonisë dhe i ndihmuar nga UEFA la për të dëshiruar. Në këtë festë nuk pati asnjë element të kulturës shqiptare, edhe pse shqiptarët në këtë vend janë popull shtetformues.

Vallet maqedonase, veshjet kulturore dhe të vjetra të popullit maqedonas në vend, flamuri shtetëror verdhë e kuq dhe muzika tradicionale maqedonase mbrëmë u prezentuan para 30 mijë tifozëve në stadiumin “Telekom Arena” në Shkup.

Gjithashtu dhe nëpërmjet ekraneve ky realitet i fshehur i organizatorëve u prezentua para më shumë se 1 miliardë shikuesve nga e gjithë bota.

Edhe pse shqiptarët janë popull shtetformues, një realitet i tillë u injorua nga organizatorët e kësaj ndeshje të madhe. Kjo është kritikuar keq brenda stadiumit, por edhe nëpër media gjatë dhe pas ndeshjes.

I vetmi element shqiptar në stadium ishte shqiponjë dykrerëshe që zbukuronte stemën e Real Madridit. Për këtë detaj nuk u kujdesën organizatorët, por tifozët e tifogrupit madrilen shqiptar ”Real Madrid Club Albania” që ishin protagonistë në stadium.

Përderisa në mikrofon organizatorët paralajmëronin që mos të shfaqet racizëm në stadium ndaj lojtarëve, stafit teknik, tifozëve të ekipëve kundërshtare dhe personave zyrtarë, të njëjtën gjë e bënë organizatorët ndaj shqiptarëve.

Në stadium pati fshehje të një kulture të tërë, të vjetër me shekuj.