Një numër i madh i personave të cilët kanë qenë të punësuar nga ana e Sekretariatit të përgjithshëm paraprak nuk kanë ardhur në punë, ndërsa kanë marrë pagë. Këtë e konfirmoi revizioni i brendshëm në suaza të Sekretariatit të përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

“Pagesa e pagave sipas revizionit të brendshëm është bërë për detyrë të pakryer që është në kundërshtim me Ligjin për marrëdhënie pune si dhe Ligjin për nëpunësit administrativë”, informon sot pres shërbimi qeveritar.

Në vitin 2016 për 166 nëpunës shtetëror të cilët nuk kanë ardhur në punë janë paguar 50.776.872 denarë apo pothuajse 830.000 mijë euro, duke u dëmtuar kështu për të njëjtën shifër buxheti i Republikës së Maqedonisë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë në pajtim me të dhënat nga revizioni i kryer, formon komision dhe është hapur procedurë disiplinore kundër personave të punësuar,  dhe në pajtim me Kodin Zgjedhor, komisioni punën e vet do ta vazhdojë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale”, thuhet në kumtesë.

Qeveria e Republikë së Maqedonisë thekson se ekziston përgjegjësi e mundshme edhe te punëdhënësi edhe te punëtorët.

“Pas përfundimit të procedurës disiplinore Qeveria do ta informojë opinionin për rrjedhën e mëtejshme të procedurës”, informon pres shërbimi qeveritar.