Në kuadër të përgatitjeve para ndeshjes kualifikuese në kuadër të Ligës së Evropës kundër Milanit, Shkëndija ka kryer seancën stërvitore në Itali, ndërsa trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani kanë dalë në një konferencë për media.

Skuadra nga Tetova të enjten mbrëma do të zbarkojë në San Siro për ndeshjen historike kundër Rossonerëve, në përpjekje që të nxjerrë një rezultat pozitiv.

Trajneri ka thënë se të gjithë e njohin Milanin dhe e dinë historinë e klubit të madh italian, mirëpo Shkëndija është e gatshme të japë më të mirën kur të dalë në fushë.

“Kemi respekt të madh për Milanin, mirëpo do të mundohemi të përgjigjemi sa më mirë që dimë të luajmë”, ka thënë ai.

Osmani ka pranuar se Rossonerët janë favoritë, mirëpo ka thënë se skuadra e tij do të përpiqet të nxjerrë rezultat pozitiv.

Formacioni pritet të jetë i ngjashëm me atë kundër Vardarit, ndërsa Juniori i shkualifikuar do të zëvendësohet me një lojtar tjetër.

Ndeshja kthyese zhvillohet pas një jave në Shkup, ashtu që përballja e parë do të jetë shumë e rëndësishme për planifikimin e rezultatit të mëtejmë.

Për këtë arsye, nevojitet një taktikë e mirë dhe përgatitje maksimale për këtë sfidë. Natyrisht edhe mbështetja e madhe e tifozëve dhe kjo nuk mungon në asnjë moment, pasi shqiptarët nga të gjitha trevat janë bashkuar për t’i dhënë kurajë dhe zemër Shkëndijës.