Kryeministri izraelit dhe Presidenti rus do të takohen javën e ardhshme në vilat presidenciale të Sochit në Rusi.

Benjamin Netanyahu dhe Vladimir Putin do të diskutojnë së bashku në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, veçanërisht krizën siriane, ku Moska është angazhuar fort.Lajmi është konfirmuar nga zyra e shtypit e kryeministrit izraelit.

Një tjetër çështje që pritet të jetë temë diskutimi mes Putinit dhe Netanjahut është edhe ajo e programit bërthamor të Iranit.

Izraeli është i shqetësuar në lidhje me të, ndërkohë që së fundi mediat vendase kanë raportuar se Teherani po ndërton një fabrikë prodhimi raketash me rreze të gjatë veprimi në veri-perëndim të Sirisë.

Roli i Iranit në përkrahje të Assadit ka qenë thelbësor. Sipas asaj që raporton inteligjenca izraelite, Teherani është angazhuar me trupa të Rojes Revolucionare dhe me mbështetjen e fuqishme në armatime të grupit shiit, Hezbollah.

Netanjahu ka deklaruar se Izraeli ka ndërmarrë bombardime të shpeshta ajrore në Siri për të parandaluar trafikun e armëve për Hezbollahun në Liban.

Dy vite më parë, Rusia dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje koordinimi të sulmeve ajrore në Siri për të shmangur përplasjet aksidentale.